“Shpëtoni ariun Tomi”, krijohet peticioni online drejtuar ministrisë së Bujqësisë
Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull ariut Tomi. Tomi, 5 vjeç, mbahet i mbyllur në kafaz në një restorant jashtë Tiranës ku njerëzit mund ta shohin dhe ushqejnë teksa drekojnë aty. Sipas Daily Mail, Tomi është një prej 80 arinjve të mbyllur në kafaze në Shqipëri.
Dieta ushqimore e tij është e paimagjinueshme për një ari. Tomi ushqehet me ëmbëlsira dhe patatina nga vizitorët e restorantit, të cilët e filmojnë teksa i japin për të ngrënë. Ndërsa pronari i lokalit ka pranuar për Daily Mail se shpesh harron edhe t’i japë ujë.
Media britanike shkruan se ariu ka luhatje të shpeshta humori, madje kafshon edhe gjymtyrët e tij për shkak të kequshqyerjes dhe gjendjes së padurueshme prej dy vitesh në kafaz.
Pronari i lokalit thotë se sjelljet e Tomit janë për shkak të mërzitjes por mendon se nuk ka asgjë të keqe në mbajtjen e tij në kafaz 24/24. Ai ka thënë gjithashtu se ka paguar një veteriner për ta gjuajtur Tomin me një armë qetësuese.
Pas artikullit të medias britanike, qytetarët kanë krijuar një peticion online “Shpëtoni arinjtë”, drejtuar ministrisë së Mjedisit.
/m.g/