Abuzimet e privatit me dializën dhe mosrespektimi i kontratës. Asnjë mbikëqyrje nga QSUT
Procesi i dializës i shërben pacientëve me probleme në veshka dhe mbulohet prej vitesh në masën 100 % nga shteti. Për të shmangur radhën në dyert e spitaleve dhe marrjen e shërbimit me turne, në vitin 2014, ministria e Shëndetësisë propozoi idenë e partneritetit publik/privat. Kështu, QSUT, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe ministria e Shëndetësisë nënshkruan një kontratë me subjektet private, për sigurimin e disa shtretërve të dializës me kusht që pacientët e privatit marrin të njëjtin shërbim në privat, pa paguar kosto shtesë.
Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar që kushtet e kontratës mes stukturave shëndetësore dhe spitaleve private nuk repsktohen. Privati abuzon me koston e shërbimit, ndërkohë shteti paguan. Në gjetjet e bëra publike nga KLSH thuhet se drejtoria e QSUT nuk ka monitoruar marrjen e shërbimeve si nga ana sasiore dhe cilësore.
“Nuk ka asnjë raport për shërbimin e paguar, por janë marrë të mirëqena dhe paguheshin të gjitha faturat që vinin nga operatorët privatë, pavarësisht se mund të kalonin limitet financiare të çdo kontrate”.
Gjishashtu, një nga pikat e kontratës “trajtimi i pacientëve 3 herë në javë”, është hequr nga spitalet private. Skandali vazhdon me faktin se subjektet private janë paguar dhe për shërbime që nuk i kanë ofruar.
“Gjithashtu u konstatua se është faturuar dhe është bërë pagesa mujore për pacientë të trajtuar tek “U….A”,të cilët figurojnë se janë larguar nga trajtimi në QSUT në fund të muajit. Në këto kushte, operatori ekonomik është favorizuar për shkak të mungesës së monitorimit në vlerën 2.626.269 lekë.
Një tjetër konstatim nga KLSH është mosrimbursimi i transportit të pacientëve në mënyrë korrekte kur këto para i kanë kaluar spitaleve private.
“Nga auditimi u konstatua se asnjëherë pacienti nuk paguhej në bazë të numrit të seancave që kryente, ndërkohë që kishim raste që, personi që listohej te shpenzimet e transportit, nuk rezultonte të ishte në listat e pacientëve që faturoheshin për seancat që kryenin pranë spitaleve të operatorëve privatë.”
Referuar këtyre shkeljeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar QSUT të marrë masa të menjëhershme.
/m.g/
Shkrimi i plotë shendeti.com.al