Nesër afati i fundit për kartat e shëndetit, ja si të aplikoni online
Data 30 prill shënon afatin përfundimtar për përdorimin e librezave të shëndetit. Çdo qytetar që dëshiron të pajiset me kartën e re të shëndetit duhet të paraqitet në sportelet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), ose të aplikojë në portalin www.ealbania.al.
FSDKSH-ja njofton të gjithë qytetarët se pas datës 30 prill të gjithë institucionet shëndetësore në vend nuk do të shërbejnë më për qytetarët që nuk janë të pajisur me kartë shëndeti.
Si të aplikoni online për kartën e shëndetit?
Fillimisht duhet të klikoni në portalin qeveritar www.ealbania.al. Pasi të hyni në faqen kryesore duhet të klikoni tek kategoria “e-shërbime” dhe të zgjidhni opsionin “Gjenerimi i kartës së shëndetit”, më pas të klikoni butinin “Hyr”. Në këtë moment duhet bërë regjistrimi në portal, duke vendosur të dhënat tuaja personale në fushat e caktuara si: emri, mbiemri, atësia dhe numri personal i letërnjoftimit.
Foto: Tre hapat që duhen ndjekur për aplikimin online
Më tej do ju kërkohet të vendosni një fjalëkalim, adresën tuaj e-mail dhe numrin e celularit, ku sapo të kryeni regjistrimin do ju vijë me mesazh një kod 4-shifror. Ky kod duhet të vendoset në fushën e kërkuar pasi të klikoni butonin “regjistrohu”.
Pasi të jeni regjistruar, klikoni opsionin “përdor”, ku do të shfaqet version online i kartës tuaj të shëndetit. Ky version i printuar ka të njëjten vlefshmëri me atë të emetuar nga sportelet e qendrave shëndetësore.
/l.k./