Është koha për historinë e transgjinores Serafinë, sot në TV Klan
Jeta e një personi transgjinor do të tregohet sot në emisionin “Jo vetëm modë” të Floriana Garos në TV Klan, një emision që kërkon të bëjë më të fortë zërat e zbehtë të komunitetit transgjinor shqiptar.
Jeta e Serafinës, një vajze transgjinore e cila duhet të jetojë me stigmën e të qenit ndryshe, dhe jeta e Gertit, një djali gej që i duhet të jetojë i fshehur për shkak të diskriminimit dhe frikës mos humbasë mbështetjen e më të dashurve, do të jenë tema këtë mbrëmje në “Jo vetëm modë”.
Floriana Garo, u shpreh për “Historia Ime” se ky emision ishte diçka që ajo e kishte menduar gjatë për ta realizuar. “Intervista me Gertin dhe Serafinën ishte emocionuese”, tha Garo, “u preka nga historitë e tyre dhe ndjeva se detyra ime është që ti bëj zëra të tillë të zbehtë të dëgjohen më fort”.
Aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBTI Xheni Karaj përdori hashtagun #kurajo për ta promovuar këtë histori. “E lumtur që më shumë persona nga komuniteti po gjejnë guximin të tregojnë hapur historitë e tyre! Ndryshimi nis nga ne! Bravo Serafina per guximin!”, shkroi ajo në Facebook.
Emisioni “Jo vetëm Modë” do të trajtojë edhe historitë në qendrën rezidenciale “Streha” për të rinjtë e dëbuar nga familjarët apo ata të cilët nuk e përballojnë dot jetën me dhunë psikologjike e fizike. Ky është shërbimi i vetëm në të gjithë rajonin e Europës Juglindore, i liçensuar nga shteti shqiptar.
Komuniteti transgjinor është ndër komunitetet më të paragjykuara dhe të stigmatizuara në shoqërinë shqiptare për shkak se informacioni rreth tyre ose mungon ose paraqitet me paragjykime e stereotipe.
K.Pinderi
/m.g./