Unaza e madhe/ Familjet rome protestojnë: “Nuk dalim nga banesat nëse nuk shpronësohemi”
Ndërtimi i Unazës së Madhe prej kohësh i ka shkaktuar probleme familjeve rome që jetojnë në zonën e Selitës. Sot janë ende pesë familje që luftojnë të ruajnë banesat e tyre nga shembja. Ata thonë se nuk do të largohen që aty derisa të marrin demshpërblimin që iu takon.
BIRN shkruan se pesë familjet rome kanë gjetur strehim prej 25 vitesh në zonën e Selitës që preket nga ndërtimi i Unazës së Madhe dhe banorët janë të gatshëm të largohen vetëm nëse do t’iu jepet një strehim i denjë apo dëmshpërblimi që iu takon.
“Jetojmë shtatë persona në këtë shtëpi, kam ardhur në këtë zonë përpara vitit 1991. Nuk do të pranoj të ma shembin pa më dhënë më parë përfitimin që më takon prej saj. Ata mendojnë se ne jemi romë dhe nuk i njohim të drejtat tona”, tha për BIRN Sajmir Shaku, i cili e nxjerr jetesën duke mbledhur dhe tregtuar hekurishte.
Familjet rome i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës në respektim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 608 datë 05.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991”, t’i kalojë pronësinë e shtëpive dhe truallit ku kanë jetuar që nga vitet 1990.
Por pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj, u është përgjigjur kërkesës së banorëve se harta e Arkivit Qendror Teknik deri në vitin 1990 nuk e vërteton ekzistencën e pronësisë së tyre.
Në mungesë të vërtetimit të pronësisë, Bashkia ka ofruar të paguajë vetëm dy vite qira për banorët e prekur, por kjo është joreale për këtë komunitet. /m.g
Burimi: BIRN