Bashkia 3443 gjoba e sekuestrime ndaj tregtarëve ambulantë, ende pa u ofruar zgjidhje
Nga gushti i vitit 2015 policia bashkiake e Tiranës ka nisur luftën ndaj tregtarëve ambulantë, duke vendosur 3443 gjoba për zënie të hapësirave publike, ndotje të ambjentit dhe ushtrim aktiviteti pa leje, raporton BIRN.
Në një njoftim për shtyp të publikuar nga Bashkia e Tiranës thuhet se janë ende në fazën e planifikimit për ndërtimin e tregjeve të reja dhe identifikimin dhe licensimin e tregarëve ambulantë.
Për të realizuar këtë plan, Bashkia ka nisur punimet në bulevardin Petro Nini Luarasi dhe pranë shkollës “Katër dëshmorët” në njësinë nr.8. Në tregun e parë pritet të sistemohen 54 tregtarë ambulantë ndërsa në të dytin kapaciteti është më i madh.
Ajo që kuptohet nga kjo deklaratë e publikuar nga vetë Bashkia e Tiranës, është se tregtarët ambulantë po ndëshkohen përditë me dhunën e gjobave e sekuestrimit të mallrave ende pa iu ofruar një zgjidhje.
Në pamundësi për të braktisur të vemten mënyrë për të mbijetuar, shumë prej tyre janë detyruar të largohen nga rrugët kryesore, duke e vazhduar aktivitetin në hapësira mes pallateve apo në rrugë dytësore të lagjeve ku është më e vështirë të diktohen nga policia.
Ky është një nga dhjetëra rastet e publikuara nga “Nisma Thurje” ku duket qartë dëshpërimi dhe pafuqia e tregtarëve ndaj gjobave dhe sekuestrimit të policëve bashkiake. /l.k./
“Në këtë vend mund të vjedhësh bankën e shtetit, mund të japësh gjithë shëndetësinë me koncesion, mund të japësh gjithë pasuritë kombëtare për 1 euro, mund të vjedhësh tendera dhe fonde publike, mund të mashtrosh qytetarët çdo ditë e çdo vit. Ska problem! Nuk ndëshkohesh!
Por nëse shet në rruge për të siguruar bukën e fëmijëve…përballesh me shtetin. Me palo shtetin tonë!!!”, shkruhet në shënimin që shoqëron videon.