Përdhunimet në Këln, Kryebashkiakja: Femrat duhet të kenë kod sjelljeje për të parandaluar sulmet
Në natën e ndërrimit të viteve, Gjermania është terrorizuar nga dhjetra sulme seksuale të kryera nga një bandë meshkujsh në Këln. Mbi 90 kallëzime janë bërë në polici nga femrat për ngacmime seksuale dhe plaçkitje ndaj tyre.
Sipas autoriteteve policore, viktimat janë grabitur, kërcënuar dhe ngacmuar seksualisht nga meshkuj, shumë prej të cilëve janë përshkruar me “origjinë arabe ose të Afrikës Veriore”.
Sulmet kanë bërë që kryebashkiakja e Këlnit, Henriette Reker, të marrë masa parandaluese për të shmangur tmerrin e përjetuar nga qytetarët. Sot madje, Reker ka propozuar një “kod sjelljeje” për gratë dhe vajzat e reja “në mënyrë që këto gjëra të mos ndodhin më”.
Por Kodi i Sjelljes, është pritur me reagime të ashpra dhe sarkazëm në rrjetet sociale, pasi një prej sugjerimeve të Reker ishte që gratë duhet të mbajnë një distancë nga të huajt, sa gjatësia e krahut. Të tjera sugjerime ishin të qëndrojnë në grup, të kërkojnë ndihmë nga kalimtarët ose të ndërhyjnë për të dhënë ndihmë etj.
Kryebashkiakja ka lajmëruar se një version i përditësuar i kodit do të vihet në dispozicion për qytetarët në internet.
/m.g