Policia e Tiranës pretendon se nuk ka ushtruar dhunë ndaj studentëve; Vazhdon protesta
Policia e Tiranës ka reaguar me një deklaratë zyrtare mbi incidentin e sotëm ku u përfshinë 9 studentë dhe Kryeministri Rama.
Në këtë deklaratë, ndryshe nga çfarë duket në videot e publikuara në media dhe në rrjetet sociale, policia pretendon se nuk ka ushtruar dhunë mbi protestuesit gjatë momentit të arrestimit.
Ajo i quan pretendimet për ushtrimin e dhunës nga ana e studentëve, të cilët aktualisht po protestojnë përpara drejtorisë së këtij institucioni, si pretendime partish politike.
“Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës.
Madje lë të kuptohet se kanë qenë studentët që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, duke e penguar të kryejë detyrën e saj, e cila në këtë rast ishte arrestimi i 9 studentëve brenda ambjenteve të një universiteti publik.
VIDEO E MOMENTIT TE ARRESTIMI
DEKLARATA E PLOTE TE POLICISE
“Në zbatim të ligjit, Policia ka ndërhyrë menjëherë, së bashku me forcat e Sigurisë së Gardës së Republikës duke shoqëruar studentët në rajonin më të afërt. Pas kësaj, 8 të shoqëruarit, janë dërguar në ambjentet e Drejtorisë Vendore ku po merren në pyetje për rrethanat e ngjarjes
Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve. Policia e Tiranës ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve.
Theksojmë se gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike. Policia e Shtetit ka bërë detyrën, edhe në kushtet kur ndaj punonjësve të policisë që po bënin ndalimin e studentëve, disa të rinj u përpoqën fizikisht t’i ndalonin të zbatonin ligjin. Ndërkohë po vijon marrja e tyre në pyetje deri në sqarimin e plotë të gjithë rrethanave të incidentit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës.
/l.k/