Nis pyllëzimi i kampit, romët: “Bashkia na ofroi nga 100 mijë lekë të vjetra për t’u larguar”
Që nga vizita jonë e fundit (në fundjavë) tek familjet rome në zonën e Liqenit Artificial, ata pothuajse janë përgjysmuar. Sipas informacioneve të banorëve, sot aty kanë ngelur rreth 23 familje, nga 49 që kanë qenë fillimisht.
Komisionerë nga institucioni i Avokatit të Popullit kanë vazhduar sot inspektimin në terren, duke mbledhur dëshmitë e familjarëve.
![Komisionerë të Avokatit të Popullit duke marrë dëshmitë e banorëve të kampit; Foto: Historia Ime](http://historiaime.al/wp-content/uploads/2015/10/image-8-e1444740577508.jpeg)
Komisionerë të Avokatit të Popullit duke marrë dëshmitë e banorëve të kampit; Foto: Historia Ime
I pyetur nëse mund të vërtetohet fakti që përaqësuesit e bashkisë u kanë dhënë para familjeve që të largohen, Erind Pirani, komisioner i Avokatit të Popullit tha:
“Janë thjesht deklarimet e banorëve që jetojnë këtu. Ata deklarojnë para nesh se iu janë ofruar rreth 100 mijë lek të vjetra për të lënë kampin , për të liruar territorin këtu dhe për tu transportuar me mjetet e bashkisë drejt vendeve të tyre të origjinës.”, tha ai për “Historia Ime”.
Nga ana tjetër, banorët na thonë se nga e shtuna, kanë ikur disa familje, “nuk janë larguar me dhunë, por i ka ‘blerë’ bashkia, iu dhan nga 100 – 200 mijë lek (të vjetra) si edhe transportin falas dhe u kthyen në qytetet e tyre”.
Gjithashtu siç marrim vesh nga ata vetë, përfaqësuesit e bashkisë kanë shkuar çdo ditë tek ta, për t’i mbushur mendjen të largohen.
Familjet rome vazhdojnë të thonë se nuk largohen që aty duke i gënjyer me 100 mijë lek (të vjetra), sepse kanë nga 4-5 fëmijë dhe nuk kanë si t’i ushqejnë.
Familja e Luanit, ka 6 persona në familje. Ai thotë që ka pak tokë në Elbasan, por nuk ka para të kthehet e të ndërtojë shtëpi atje. “S’kam as shpi as katandi, skam ku t’i fus 4 femijët, bashkia të mendojë për ne para se të na nxjerrë në rrugë”, tha Luani për “Historia Ime”.
![Punëtorët e gjelbërimit nisin pyllëzimin e zonës; Foto: Historia Ime](http://historiaime.al/wp-content/uploads/2015/10/bashkia-1-e1444740488149.jpeg)
Punëtorët e gjelbërimit nisin pyllëzimin e zonës; Foto: Historia Ime
Një nga përfaqësuesit e komunitetit, Esati, thotë se gjithçka që ata duan është që mos t’i shqetesojnë më. “Le të na spostojnë pak më tutje ose edhe ku të dojë bashkia. Të na jap një vend, ose shtëpi për secilin, të na sjellë dhe ca kosha dhe ne nuk i përhapim më mbeturinat meqë ky ka qenë një nga problemet e bashkisë”.
Sipas dëshmive të marra nga komisionerët e Avokatit të Popullit, banorët e mbetur në kamp, refuzojnë kategorikisht të shkojnë në Tufinë, pasi pretendojnë se kanë hasmëri me banorët e Qendrës Tranzitore të Emergjencave aty.
Ndërkohë siç ka deklaruar më parë për “Historia Ime” nënkryetari i Bashkisë Arbian Mazniku, pritet që familjet rome të largohen ditën e sotme nga kampi dhe të nisë ripyllëzimi i zonës.
Sot rreth orës 10:30 paradite, bashkia e Tiranës ka sjellë rreth 20 punonjës të gjelbërimit, që kanë nisur pastrimin në zonën ku më parë qendronin familjet rome të larguara. Por janë dhe 23 familje që kanë vendosur të qendrojnë, fati i të cilave ende nuk dihet si do jetë.
/l.k/ /m.g/
- Komisionerë të Avokatit të Popullit duke marrë dëshmitë e banorëve të kampit; Foto: Historia Ime
- Punëtorët e gjelbërimit nisin pyllëzimin e zonës; Foto: Historia Ime