Vatikani akuzohet se në mënyrë sekrete po financon “kurën e gejve”
Një ish-prift katolik ka deklaruar se Vatikani po financon terapinë për të ‘kuruar’ homoseksualitetin e klerikëve gej.
Ky pohim vjen në mes të tensioneve mbi qëndrimin anti-LGBT të Kishës, kur një prift polak u pushua pasi doli hapur si gej.
Akuzat vijnë nga ish-prift sardenjas Mario BONFANTI, i cili u detyrua të largohej nga kisha për shkak të seksualitetit të tij, pavarësisht mbajtjes së betimit të beqarisë.
Ai i tha gazetës La Repubblica: “Ekziston një manastir ku priftërinjtë që shfaqin tendenca të papërshtatshme seksuale dërgohen për të reflektuar.
“Është një vend ku ata të ndihmojnë për të rizbuluar rrugën e drejtë dhe të ngushtë. Ata donin të më ‘kuronin’, por unë nuk pranova të shkoj.”
Ai e përmendi Manastirin Venturini si vendndodhjen e qendrës së “kurimit gej” për priftërinjtë katolikë.
Manastiri u themelua nga Mario Venturini në vitin 1928, dhe e konsideron veten si një qendër ku priftërinjtë “mund të përballen me problemet e tyre” nëpërmjet “llojeve të ndryshme të terapive”.
Pavarësisht nga qëndrimi ‘kush jam unë për të gjykuar’ i Papës, doktrina katolike vazhdon të ruajë besimin se homoseksualiteti është një çrregullim.
Atë Gianluigi Pasto, 71 vjeç, kreu i manastirit, ka konfirmuar se ai merret me “problemet e lidhura me seksin”, por këmbënguli se nuk merret me gejtë apo abuzuesit e fëmijëve.
Ai tha: “Priftërinjtë vijnë tek ne për një periudhë formimi dhe reflektimi personal. Në këtë moment ne nuk kemi as priftërinj gej as priftërinj pedofilë këtu. Sigurisht puna jonë është që të mirëpresim të gjithë.
“Ne nuk flasim për punën tonë, por ajo është e njohur për shumë peshkopë dhe dioqeza. Ata e dinë se çfarë mund të ofrojmë ne.”/A.A.