Replikë Artan Lames: Pjesa II – Nga Sofia Limani
Kur lexova shkrimin tuaj sot, mu kujtua një shkrim i juaji, këtu e dy vite më parë, prag zgjedhjesh, shkrim të cilit iu pëgjigja me një replikë. Pas dy vitesh, ju rikthyhet çështjes prapë, dhe meqënëse dy vite paskan shkuar dëm, por kanë ndryshuar argumenta, mendova t’ju shkruaj prapë, pa agresivitet siç mund ta quani ju.
Mu bë qejfi të them të drejtën, vetëm për diçka: ndryshimi 180 gradë i teorisë për të nxjerrë të njëjtin përfundim. Aftësi për tu vlerësuar, përgëzime! Para dy vitesh do të shkruanit se homoseksualizmi me shqiptarët s’ka lidhje, dhe se të huajt me modernizmat po na e imponojnë duke përshtjelluar mendjet naïve të shqiptarëve, që bëhen edhe pedofila për faj të propagandimit të LGBT (si rasti i Përrenjasit). Në shkrimin e djeshëm, besoj pas dy vitesh studimi të imtësishëm të historisë, dolët se shqiptarët homoseksualizmin e kanë pasur të tyrin, dhe të huajt dalin kot, ca OJF vjedhin lekë sepse ka ca radikalë muslimanë. Përgëzime për punën kërkimore dhe aftësinë për të ndryshuar argumentat pa ndryshuar përfundimin!
Tani, t’i sqarojmë pikat një nga një, falë dhe faktit që fleta s’është agresive vetë, dhe se fjalës së shkruar s’i bërtet njeri “Pusho!” kur shkruhet. T’i sqarojmë qetësisht, pa acarime adoleshendeske “I hate everybody” dhe më hanë duart ta shkruaj këtë gjë.
Së pari, mu bë qejfi për analizën historike, është faktike, shumë më shumë herë se ajo teoria e Përrenjasit. Por ka diçka që keni harruar. Homoseksualizmi ka qenë pjesërisht i pranuar në histori, pjesërisht pasi martesat e detyruara kanë vazhduar, ashtu sa për sy dhe faqe, dhe për trashëgimi më së shumti. Por kjo s’ka ndodhur masivisht. Ka qenë muhabet elite: Bajroni, Lorda, Ali Pasha, Mehmeti II, vëllai i Drakulës, apo krahu i djathë i Napoleonit vetë. Përsa kohë muhabeti mbetej pjesë e qarqeve të larta, dhe martesa për pasuri kryhej, gjërat ishin Ok, mjaftonte që homoseksualizmi të mos zbriste në bazë, te ai njeriu i thjeshtë. Ai do të vritej, do të burgosej, quhej mëkatar, i sëmurë etj etj. Pse? Sepse turma duhej të mbahej në kontroll. Martesa gej do të çakordonte një sistem të ndërtuar mbi seksizëm:burri ushtar, gruaja shërbetore. Dhe cikli ripërterihej dhe ripërterihej, ndërkohë diku, në ndonjë majë kështjelle (a kishe) ndonjë gej fatlumë (dhe jo lezbike, kurrsesi jo) shijonte në fshehtësi lirinë e tij. Kur Napoleoni do të hartonte Kodin e Familjes, të cilin sot na e masturbojnë në fytyrë për të mbrojtur shenjtërinë e familjes, Franca ishte e dalë jashtë kontrolli, në sensin e pushtetit: feja s’pinte më ujë, divorce në rritje, etj etj. Kodi i Familjes i Napoleonit, së bashku me shumë nisma të tjera si kurorëzimi si perandor, afrimi i elitës pas vetes etj, siguruan mbledhjen e shoqërisë pas një individi, i cili flinte me cilëndo grua që i shkelte në pallat, dhe që sa herë shkonte në betejë, i linte çelsat e Parisit një geji. Ironike, apo jo?
Tani mendojmë së situata është ndryshe, ose të paktën tentojmë ta ndryshojmë. Liria ka tjetër nocion, përtej majës së ndonjë kulle, tani kjo liri ka nevojë të zbresë dhe më poshtë, tek njeriu i zakontë, i cili i bombarduar për shekuj me përralla, vështirë të vetëçlirohet. Në një aspekt, lëvizja LGBT simbolizon edhe këtë: shtrirjen e lirisë, dhe zgjerimin e kufijeve të saj (që as “lordi” mos martohet me zorr). Pse sot? Sepse shoqëria sot s’ka nevojë për ushtarë e shërbetorë, fiziku s’përbën më faktor dominant në organizim të ekonomisë e shoqërisë, dhe kësisoj as rolet gjinore të ndara me thikë, dhe më tej akoma, as familja tradicionale si e vetmja formë e saj.
Së dyti, “a ka realisht diskriminim” shtrohet si pyetje nënzë në shkrimin tuaj, dhe shumë të tjerëve që mendojnë por shprehen me ndryshe (përfshi radikalët muslimanë). Në Fox News nuk del njeri të denoncojë diskriminimin që i ushtrohet, në HuffingtonPost gjen përditë dhjeta të tilla, për arsyen e thjeshtë: njeri diskriminon vetë, i dyti jo. Kur ju shkruani se homoseksualizmi ka lidhje me pedofilinë, mos prisni që nesër t’ju shkruajë njeri t’ju qajë hallet si e kanë diskriminuar. S’ka person LGBT që të mos ketë qenë njëherë i diskriminuar, fakti që ju s’e dini, është privilegj, i cili është turp të përdoret për sulm. Gjithsesi, unë ju sugjeroj ca forma për të marrë vesh: hapeni ketë muhabet kur shkoni jepni tapi shtëpish, kështu si nëpër dhëmbë, dhe pastaj më shkruani një replikë replikës. Ose ose, shkoni në shkolla e pyesni pak, provokoni pak ndonjë zyshe, ndonjë nxënës dhe më shkruani replikë replikës.
Së treti, a po vjedhin OJF e LGBT? Unë personalisht s’jam marrë ndonjëherë me OJF, dhe e di së jashtmi perceptimin që shoqëria ka për to. Deri diku, ky perceptim krijohet nga mënyra e organizimit dhe konceptimit të OJF-së: nqs qeveria bën llogaridhënie të pala e interesuar, OJF, të paktën ligjërisht, këtë llogaridhënie ja bën donatorit, dmth një palë të tretë, duke lënë palën e interesuar më pikëpyetje në kokë. Si problem konceptual që është, unë ju sugjeroj ta shtrini në të gjitha OJF, jo vetëm LGBT. Fjala vjen, financuesit kryesore të LGBT janë po ashtu financues kryesorë të shoqata të grave, fëmijëve, romëve, njerëzve me aftësi të kufizuara, personave me AIDS, varësi nga droga, jetimëve etj etj. Asnjë fjalë për këto organizata? As edhe një hije dyshimi? Fakti që OJF të LGBT ndihen më shumë se të tjerat, i jep alamet përgjigje pyetjes tuaj, kurse po të mendoni për qindra organizata fantazma që ekzistojnë dhe s’bëjnë asgjë, s’ju hanë duart për to?! Po për radikalët muslimanë, as për ta s’ju hanë duart fare? Kush i financon të paktën, e dimë që jo USAID dhe shokë. Po për ata që vdesin në Siri, as për ta s’ju hanë duart?! Kush po rekruton, kush ble bileta, kush i jep para për familjet, nga dalin paratë dhe si futen në Shqipëri?!
Së katërti dhe së fundmi gjithashtu, “çfarë duan LGBT nga ne kur kanë dhe ligj që na mbyll gojën” ishte prapë pika që ju bënte të ngjanit me ata që shanit. Si funksionar i shtetit, duhet të dini mirë vlerën e ligjit, aq më tepër nga detyra specifike që keni: legalizimi i banesave. LGBT kërkon legalizimin e martesës, dhe ju s’kam nevojë t’jua shpjegoj pse, pasi po të keni dyshime, shkoni dhe thuajini ndonjë banori: “E pse te duhet një A4 që ke shtëpi, kur ke shtëpi, dhe pa pasur A4 që ke shtëpi?”, do t’jua japë ai përgjigjen. Nqs mendoni se ligji kundër diskriminimit i vuri kapakun diskriminimit, kur t’i jepni ndonjë banori tapinë e shtëpisë, shkojini të nesërmen me fadromë, prishjani shtëpinë, mos e dëmshpërbleni dhe thuaji “Po pse mor burrë të duhet shtëpia, a e ke A4 që ke shtëpi, s’mjafton letra, dashke çati?” dhe do t’jua japë ai përgjigjën sërisht. Dhe këtij banorit mos bëni gafë t’i dëmshpërbleni shtëpinë, sepse do të më prishit analogjinë. Sepse rreth dy vite më parë, për të famshmin ligj që “ju mbyll gojën” morët një dënim të vockël, që s’e kryet, ishit në fushatë dhe nuk shkonit dot atë ditë tek Top Show. Pastaj çudia më e madhe tre ditë zgjat, thua mbahet mend dy vite?! Si mund të ankohet një shkelës ligji pas dy vitesh, pasi i ka bërë bisht ligjit, duke thënë se ligji qenka tepër i rreptë? Prisni dy vite. Kështu që kur banori të ankohet për dëmshpërblim, mos i ktheni përgjigje direkt, prisni nja dy vite, pastaj shkojni te çadra ku rri dhe thuaji “Akoma pa shtëpi? Akoma me atë muhabet ti?” Dhe atëherë më shkruani një replikë, pa gjaknxehje dhe kruarje duarsh.
Sofia Limani