Kumanova kthehet në fushë betejë; 5 shqiptarë të vdekur (VIDEO)
Kumanova është kthyer në një shesh luftimi. Në lagjien “Trimat”, të banuar tërësisht nga shqiptarët, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe kanë zgjatur për më shumë se dy orë.
Sipas BIRN, ministria e Brendshme maqedonase ka deklaruar se një grup i madh i armatosur shqiptarësh, ka rrethuar qytetin.
Zhurnal shkruan se përplasjet mes qytetarëve dhe policisë kanë sjellë pasoja në njerëz. Deri tani flitet për 5 viktima, të gjithë shqiptar, mes tyre tre të moshuar, një vajzë 8-vjeçare dhe prindi i saj. Gjithashtu jo zyrtarisht flitet për një polic të vrarë dhe 9 të tjerë të plagosur. Zhurnal shkruan se tek banorët është përhapur panik dhe tmerr pasi një pjesë e qytetit të Kumanovës është në shtetrrethim të plotë nga policia maqedonase.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski, aksioni i policisë maqedonase u ndërmor pas informacioneve për lëvizje të një grupi të armatosur në atë pjesë të Kumanovës. Nga videot dhe fotot që janë shfaqur në mediat maqedonase, duket se policia maqedonase ka nisur arrestimet masive të qytetarëve shqiptarë të kësaj zone, ku shfaqet edhe një fakt tronditës, ai i arrestimit të një të moshuare.
Konflikti i dhunshëm me armë, plumbat e të cilëve sipas dëshmive të banorëve kanë depërtuar në shtëpitë e tyre, dhe helikopterët mbi qytet kanë krijuar një atmosferë lufte në lagjen “Trimat” të banuar nga shqiptarët, rreth 700 metra nga qendra e qytetit.
Analistët vendas hedhin tezat e tyre se kjo ngjarje bëhet për të hequr vëmendjen nga ajo se çfarë po ndodh në politiken e tensionuar të Maqedonisë, pas “bombave” të përgjimeve nga lideri i opozitës Zoran Zaev dhe protestave që shpërthyen kundër qeverisë së Gruevskit.