Ndryshon skema e përfitimit dhe lista e ilaçeve të rimbursueshme
Lista e ilaçeve të rimbursueshme dhe mënyra e përfitimit nga rimbursimi ka ndryshuar sërish. Numrit të barnave i janë shtuar 29 barna të reja, duke e çuar në 506 numrin total të ilaçeve të rimbursueshme.
Lista e re hyn në fuqi nga data 1 prill, dhe pritet të ketë ndryshime edhe në mënyrën e përfitimit. Pacientët kronikë të stabilizuar do të marrin receta dymujore me rimbursim, jo më një herë në muaj. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur këta pacientë duhet të drejtoheshin çdo muaj te mjeku i familjes, me ndryshimin e afatit, nuk është më e nevojshme që të enden radhëve në qendrat shëndetësore për çdo muaj për të marrë të njëjtat barna.
Sipas zotit Astrit Beci, drejtori i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, recetat e rimbursueshme dymujore do të sjellin më tepër lehtësim si për pacientët ashtu edhe për mjekët. Kjo do të thotë se pacienti do të ketë lehtësim të ndjeshëm, pasi nuk do ta ketë të nevojshme paraqitjen pranë mjekut të familjes çdo muaj për barnat që merr rregullisht me rimbursim, por një herë në dy muaj. Përveç rasteve kur ka ndryshim terapie, gjë e cila përcaktohet nga mjeku”, tha drejtori i Fondit, Astrit Beci.
Për sa u përket kategorive që kanë përfituar më tepër receta me barna të rimbursueshme, në vend të parë renditen pensionistët, pas tyre invalidët e plotë dhe veteranët. Peshën kryesore të barnave për rimbursim e zë kategoria e pensionistëve me 62.2%, ku medikamentet kryesore që rimbursohen janë ato për diabetin dhe tensionin, në 40% të rasteve. Listës së barnave të rimbursueshme këtë vit i janë shtuar edhe medikamentet për trajtimin e sëmundjeve tumorale apo edhe atyre të zemrës. Kjo për shkak të rritjes së numrit të personave të prekur nga këto sëmundje. Pjesa më e madhe e ilaçeve që janë shtuar në listë u përkasin sëmundjeve kancerogjene.
Gazeta “Shqiptarja.com” shkruan se sipas VKM-së, barnat për mjekimin e ulçerës peptike do të mbulohen në masën 70%, antidiabetikët në masën 50%-80%-95%, anitanemikët 95%, ndërsa barnat në terapinë kardiake 50%-80%.
Po ashtu, vendimi përcakton se: reduktuesit e lipideve në gjak do të mbulohen në masën 50%, antibiotikët dhe kimioterapeutikë dermatologjikë 50%, antiinfektivët dhe antiseptikët gjinekologjikë 70%, urologjikët në masën 70%, barna të terapisë së tiroides 80%, ndërsa barnat për terapinë endokrine 100%.
Një vit më parë, listës së barnave të rimbursueshme iu shtuan 55 medikamente të reja, ku për herë të parë u përfshi edhe një bar për shërimin e një plage të madhe sociale, siç është: alkooli. Lista u zgjerua pothuajse për të gjitha kategoritë, por në fokus kishte gratë shtatzëna, fëmijët, pensionistët, të sëmurët me kancer, por edhe personat e verbër.
/Gazeta Shqip