Prishja e banesave të 70 familjeve rome, familjarë dhe aktivistë në protestë përpara Kryeministrisë
Ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës do të lërë në qiell të hapur rreth 70 familje të komunitetit Rom që banojnë në zonën e selitës. Për këtë arsye këta banorë, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë protestuan sot përpara Kryeministrisë. Me pankarta ku shkruhej “të varfër jemi, po na lini dhe të pastrehë” dhe ”rilindja po na vdes” ata protestuan për një të drejtë themelore si ajo e strehimit.
Shqetësimi i këtyre familjeve është i njëjtë me ato të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë. Pjesa më e madhe e banesave janë prej vitesh në proces legalizimi, por këto familje nuk mund të marrin dëmshpërblim pikërisht për të njëjtën arsye që banesat e tyre do të prishen.
Një nga banorët, Bujar Muharremi thotë se ka një vit që po lufton për të drejtën e tij në të gjitha institucionet dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërkohë që INUK po vazhdon të prishë shtëpitë.
“Kemi 25 vjet që i kemi ndërtuar ato shtëpi me të gjitha sakrificat tona dhe vjen një moment që po na i prishin. Ne jemi në proces të legalizimit por qeveria na e ka bllokuar. Kemi 6 fëmijë, ku të shkojmë ne?”-u shpreh ai.
Sipas ligjit Nr. 9482 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” procesi i legalizimit është pezulluar sepse objektet janë në territor që do t’i nënshtrohet planeve urbane.
Për këta banorë qeveria ka ofruar si zgjidhje 2 vjet qera të subvensionuar nga shteti, më pas do të konsiderohen si të pastrehë.
Xhekson Çela, aktivist për të drejtat e komunitetit Rom tha për Historia Ime se:
“Dhe pse kanë filluar punimet për ndërtimin e unazës së madhe, ende nuk ka përgjigje për një strehim dinjitoz për këta banorë. Thjesht ka propozime të tilla si 2 vjet qera të subensvionuar e cila është e papranueshme për kontekstin ku jetojnë sepse nuk kanë një profil socio-ekonomik të tillë që të përballojnë pas dy vitesh qeranë apo një formë tjetër strehimi.”
Në deklaratën për median protestuesit kërkuan vëmendje për këto çështje:
- Krijimin e një grupi pune nga qeveria për t’u konsultuar me të gjithë banorët që preken nga ky plan.
- Krijimin e mundësisë për çeljen e procesit të shpronësim/kompensimit përmes një VKM-je e cila mund të propozohet nga Ministria e Linjës
- Ofrimi i sigurisë ligjore për të mos na dëbuar nga banesa jonë pa u gjendur alternativa të përshtatshme strehimi për ne
- Të mos konsiderohet si zgjidhje zhvendosja në banesa me qera të subvencionuar nga shteti për 2 vjet
- Kërkojmë zgjidhje të plotë dhe jo një rrugëdalje të çalë. Banesat janë jeta jonë, mundësia për të patur një jetë normale dhe me dinjitet. Asnjë veprim i institucioneve publike nuk duhet të përkeqësojë jetën e qytetarëve.
Kjo nuk është protesta e parë që familjarët dhe aktivistët organizojnë përpara institucioneve për këtë problematikë. Ata kënë zhvilluar disa protesta përpara Ministrisë së Zhvillimit Urban, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe janë bërë disa takime me përfaqësues të këtyre institucioneve.
Ligji i ndryshuar për “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ka përjashtuar këta banorë nga e drejta për strehim.
“Ajo që kërkojnë banorët është respektimi i të drejtës së tyre për strehim, kjo kërkon që shteti shqiptar të marrë seriozisht garantimin e kësaj të drejte dhe të zbatojë planet dhe programet për strehim që ka të ligjëruara.”- u shpreh për Historia Ime, Vasilika Laçi, aktiviste për të drejtat e njeriut.
Familjarët janë të vendosur që të vazhdojnë protestat deri sa të gjendet një zgjidhje reale dhe afatgjatë që merr parasysh statusin e tyre social dhe ekonomik.
Foto nga protesta:
Video nga protesta: